Pas vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit, deputetja demokrate e Durrësit, Fatbardha Kadiu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.

"Sot e gjithë Shqipëria në Kukës!", shkruan Kadiu në Facebook teksa liston disa arsye se pse shqiptarët duhet të ngrihen kundër qeverisë që po u merr shpirtin dhe kërkon t’u mbyllë gojën me forcën e pushtetit shqiptarëve, sipas saj.

POSTIMI I PLOTË

Sot e gjithë Shqipëria në Kukës! Sot çdo qytetar duhet të bojkotojë karburantet e Kastratit në emër të kuksianëve dhe në emër të katër njerëzve që janë akoma në qeli.

Sot duhet të protestojmë kundër një padrejtësie të rëndë! Të protestojmë kundër një qeverie të babëzitur, që zhvat qytetarët me dhunë dhe u merr edhe qindarkat e fundit që u kanë mbetur në xhep, duke taksuar sërish një rrugë të ndërtuar me paratë e qytetarëve e që ka një rëndësi jetike për kombin shqiptar.

Të ngrihemi kundër kësaj qeverie, që po u merr shpirtin dhe kërkon t’u mbyllë gojën me forcën e pushtetit shqiptarëve!