“Edhe sa do na duhet të pranojmë tallje të tilla?”

Kjo është pyetja që ngre përmes një postimi në Facebook, kryetari i FRPD Durrës, Artion Barjamaj teksa komenton vizitën e kryeministrit Edi Rama në një familje në Rrashbull, shtëpia e sëcilës është rindërtuar pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

“Kapni detajet”, iu drejtohet Barjamaj ndjekësve të tij teksa shkruan se Rama e pranoi publikisht se 14 muaj pas tërmetit, në Durrës ka ende familje që jetojnë nëpër çadra.

Më tej, ai i kërkon kreut të qeverisë të flasë me shifra ndërsa thekson se fakti është, se sot dhjetëra mijëra familje janë në mes të rrugës.

POSTIMI I PLOTË

Kapni detajet!

Kryeministri Rama ishte sot në Durrës dhe ndër të tjera i shpëtoi një detaj. Ai deklaroi se: “…numri i familjeve në çadra po zbret…”.

Praktikisht kryeministri i vendit e pranoi vetë se 14 muaj pas tërmetit, NË DURRËS KA AKOMA FAMILJE QË JETOJNË NËPËR ÇADRA!

Kryeministri i vendit pranoi vetë se të gjitha shfaqet që bën nëpër media janë thjeshtë propagandë, kjo pasi rindërtimi ka prekur një përqindje realisht të pakonsiderueshme të popullsisë.

Pse nuk flet me shifra kryeministri?

Sa % e rindërtimeve është bërë? 1%, 3% apo 5%?

Sa familje jetojnë akoma nëpër çadra?

Të bësh një shtëpi dhe të dalësh e të bësh show, nuk do të thotë se ke rindërtuar dhjetëra mijëra shtëpi të tjera.

Fakti është se sot dhjetëra mijëra familje janë në mes të rrugës.

Fakti është që ka dhjetëra mijëra shtëpia të shpallura si të pabanueshme dhe banorët nuk dinë se ku, kur dhe si do rindërtohen shtëpitë e tyre.

Fakti është që vetëm në L.17, pranë ujësjellësit është një pallat i dëmtuar me 250 apartamente. Familjet nuk dinë se kur dhe si do rindërtohet pasi ka dhe kolona të dëmtura. Si kjo ka qindra të tjerë.

Fakti është që pallate të tëra janë shpallur si të banueshme, ndërkohë sipas mendimeve të ekspertëve janë të pabanueshme si shëmbull i pallateve “Desla” në L.18. Janë detyruar ta çojnë dosjen në SPAK pasi kanë frikë të futen në shtëpitë e tyre.

Fakti është se gjenjda është kaotike dhe pesimizmi ka përpirë familjet e prekura nga tërmeti.

Sot kryeministri erdhi dhe u tall sërisht me Durrësin. Tregoi dhe një histori me gomerë e miza dhe e mendoi se e bëri punën sot me banorët e këtij qyteti?

Edhe sa do na duhet të pranojmë tallje të tilla?

#FRPDDURRËS