Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia shkruan në Facebook se edhe testet serologjike po dalin me rezultat të gabuar, duke shtuar se edhe këtë herë qeveria hesht.

Spahia thotë se kjo ka ndodhur te personeli shëndetësor në laboratorin e QSUT, ku një anëtar i këtij personeli është testuar dhe një herë del negativ e më pas kur përsërit testin serologjik te spitali amerikan del pozitiv.

POSTIMI I PLOTË

EDHE TESTET SEROLOGJIKE ME REZULTAT TE GABUAR, QEVERIA HESHT!

Pas tamponëve që nuk japin rezultatin e saktë, vijnë denoncime edhe për testet serologjike! Ka ndodhur tek personeli shëndetësor i vetë laboratorit të QSUT! Një anëtar i këtij personeli testohet tek laboratori i QSUT dhe del negativ. Përsërit testin serologjik tek spitali amerikan dhe del pozitiv!!!!

A kemi problem me procedurat e testimit apo kitet e përdorura? Si ka mundësi që i njëjti test del me rezultate të ndryshme në dy laboratorë të ndryshëm?

A kemi një situatë edhe me testet serologjike, si me tamponët që rezultojnë fals negativë? Pse vazhdon mungesa e transparencës për këtë situatë?

Kjo qeveri nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjes, se a po përdor testet e marra nga Kina të cilat, për shkak se nxirrnin rezultat fals, u kthyen mbrapsht nga Spanja e para e më pas vende të tjera të Europës!

Akoma më serioze është situata, pasi mbetemi vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon, edhe ato me rezultate të dyshimta!

Serbia: 80 519 teste/1 milionë banorë

Mali i Zi: 58 515 teste /1 milionë banorë

Maqedonia e Veriut 51 300 teste /1 milionë banorë

Bosnje Hercegovina: 43 910 teste /1 milionë banorë

Shqipëria: 13 033 teste/1 milionë banorë