"SPAK nis punën në shtator me ҫështje të nxehta"

21/07/2019 - 13:24

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi, në intervistë për DW paraqet argumentat pse me SPAK-un në Shqipëri do të fillojë ҫmontimi i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin në nivel të lartë.

DW:  Z. Ibrahimi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, (KLP), mbylli(17.07) procesin e përzgjedhjes së Prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti - Korrupsion, (SPAK). Sa prokurorë kaluan në sitën e KLP dhe mbi ҫfarë kriteresh u vlerësuan të përzgjedhurit ?

Genti  Ibrahimi: Procesi nisi në fillim të janarit të këtij viti, kur u hap gara për prokurorët e SPAK. Kemi pasur 28 kandidatë nga të cilët KLP përzgjodhi 15. Ata u vlerësuan në bazë të 2 kritereve: aftësive profesionale dhe karakterit të fortë / vendosmërisë  profesionale. Vlerësimi u bazua në  dokumentacionin e ofruar prej vetë kandidatëve. Në mënyrë figurative e kemi quajtur këtë garë „ një konkurs bukurie" : të gjithë kandidatët konkurruan, ata paraqitën produktet e punës së tyre, dokumentat e ҫështjeve penale që i konsideronin më të sukseshmet dhe që tregonin vendosmërinë e tyre për t'u ballafaquar me ҫështje të vështira. Ne zgjodhëm më të mirët në bazë të rezultateve të punës që do të emërohen nga KLP, kur të kalojnë vettingun.

DW: A do të kenë 15 kandidatët përparësi në rradhën për të kaluar në vetting?

Genti Ibrahimi: Vettingu ka nisur sipas një rendi të paracaktuar në ligj. Të parët vettingut i nënshtrohen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese,  Kryetarët e Gjykatave dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme,  të Prokurorive të Apelit, drejtuesit e Prokurorive në rrethe dhe gjyqtarë të Gjykatave të Apelit. 15 kandidatët për prokurorë në SPAK jo domosdoshmërisht i përkasin kategorive të mësipërme. Ka nga ata që ende nuk kanë filluar vettingun, të tjerë i kanë kaluar të gjitha fazat e vettingut apo janë në një fazë më të hershme. Tani që dihet lista e kandidatëve ata do të kenë prioritet që t'i emërojmë sa më parë.

DW: Kur mund të fillojë funksionimin SPAK?

Genti Ibrahimi:Nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për sejcilin nga 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij.

DW: Sa Prokurorë duhet të ketë SPAK-u ?

Genti Ibrahimi:Kjo nuk ëshrë kopetencë e KLP. Numri i tyre do të jetë në varësi të ngarkesës së punës por sipas Kushtetutës, SPAK nuk mund  të ketë më pak se 10 prokurorë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 22 prokurorë. SPAK do të ketë një Kryeprokuror, që do të zgjidhet nga rradhët e 15 kandidatëve, i cili do të ketë edhe përgjegjësi administrative /organizative përpos atyre hetimore. Brenda SPAK-ut do të ketë disa seksione si p.sh. ai për krimin e organizuar, korrupsionin, hetimin e pasurisë etj.

DW:  Z. Ibrahimi, ҫfarë ”kartash” ka në  dorë SPAK që të përligjë pritshmëritë e mëdha që njerëzit dhe elitat intelektuale kanë ndaj tij, si institucioni kyҫ i drejtësisë së re që do të fillojë  ҫmontimin e pandëshkueshmërisë për ish-politikanë apo politikanë aktualë të përfolur për korrupsion, pasurim të paligjshëm, lidhje  me krimin, të paprekur deri më sot nga drejtësia?

Genti Ibrahimi:  Shqipërisë nuk i kanë munguar institucione hetimore për korrupsionin. Por SPAK  ka tri "karta” të reja dhe të rëndësishme në dorë.

Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithҁka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund të vendoste  mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK  ka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve të KLP, gjë që vështirë të  arrihet në kushte normale.

Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore / hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për  Policinë e Shtetit  për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore.

Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK  hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.

Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.

DW:  A synon aksesi në privatësinë e prokurorëve dhe hetuesve të zbulojë raste potenciale korrupsioni brenda vetë SPAK-ut?

Genti Ibrahimi: Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK mund të bëhen viktima të korrupsionit. Por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP i ka propoziar qeverisë t'i rrisë deri në 2.500 euro. 

DW:  Me këto 3 "karta” të forta në duar a do të fillojë SPAK hetimin e ҫështjeve të nxehta lidhur me korrupsionin dhe lidhjet me krimin në nivel të lartë?

Genti Ibrahimi:  SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve. Dëshiroj të theksoj që hapja e ҫështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada.

DW:  Z. Ibrahimi, kur parashikohet ngritja e BKH?  A mund të fillojë punën SPAK  pa hetuesit ose ndryshe oficerët e policisë gjyqësore të BKH?

Genti Ibrahimi:Kryeprokurori i SPAK do të rekrutojë drejtuesin e BKH  dhe të dy bashkë do rekrutojnë oficerët e policisë gjyqësore, pra hetuesit e BKH. Pas përzgjedhjes ata do të trainohen nga ekspertë amerikanë të FBI,  gjë që do të marrë disa muaj. Por SPAK do të fillojë punën duke përdorur oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, derisa të ngrihet BKH./Ani Ruçi - Deutsche Welle

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka replikuar me kryeministrin Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruant

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto nga Saranda, ku tregon se disa subjekteve iu është ndaluar aktiviteti, pasi kanë vepruar në

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për vdekjen e dy punëtorëve një ditë më parë pasi ranë nga skela e një pallati.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish për kryebashkiakët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ku disa prej tyre zunë vendin e ish kry

Kryeministri Edi Rama ka cituar një tjetër zë pro shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me tragjedinë e një dite më parë, ku dy punonjës humb

Kryedemokrati Lulzim Basha ka përkujtuar sot 70 vjetorin e Masakrës së Qafë-Valmirit, ku u pushkatuan 14 mirditore, si pjesë e strategjis

Pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ku fituan në 60 nga 61 bashkitë, socialistët do të nisin së shpejti garën për të zgjedhur struktu