Partia Demokratike në Shkodër ka deklaruar se stafi mjekësor në spitalin e këtij qyteti, është infektuar në masë me Covid-19. Sipas tyre, kjo ka ardhur për shkak të mungesave në mjetet mbrojtëse si maska, doreza apo edhe veshje të posaçme për stafin mjekësor në këtë situatë. 

Partia Demokratike thotë gjithashtu se është dhënë me katering e kuzhina e spitalit, duke nxjerrë në rrugë punonjësit që kanë shërbyer në këtë sektor të spitalit prej shumë vitesh.

“Edhe sot qyteti i Shkodrës ndodhet në një situatë kaotike e ardhur si pasojë e COVID-19 dhe keqmenaxhimit e neglizhimit të qeverisë Rama.

Infektimi i stafit mjekësor në spitalin rajonal të Shkodrës, ku shumë mjekë dhe infermierë, sot rezultojne pozitiv me COVID-19, pasojë kjo e mungesave  në mjetet mbrojtëse si maska, doreza apo edhe veshje të posatshme për stafin mjekësor në këtë situatë. 

Përgjigjet e vonuara në numrin 127 si dhe mungesa e vëmendjes e neglizhenca kanë bërë që shumë nga pacientët të paraqiten në urgjencë në një gjendje të rënduar e shumë problematike. Nga ana tjetër, një fenomen tjetër shqetësues që është vënë re këto kohë është dhënia me katering e kuzhinës së spitalit. Diçka që përveç protokollit të sigurisë dhe pastërtisë, sidomos në këtë kohë pandemie ka nxjerrë në rrugë edhe punonjësit që kanë shërbyer në këtë sektor të spitalit prej shumë vitesh.

Situata në Shkodër, po rëndohet dita ditës, duke dalë jashtë kontrolli dhe qeveria pikërisht këto ditë  gjen  kohën të bëjë pushime”, shkruan PD në Shkodër.