Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të shpallur të pafajshëm Suel Çelën.

Çela u akuzua si personi që me makinën e tij tip “Audi” goditi më 18 shtator të 2017-ës në hyrje të Tregut Agroushqimor në Elbasan, makinën e policisë duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë.

Me një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD-ja thekson se ky vendim tregon se me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin dhe personat që shkelin ligjin.

DEKLARATA E PD-SË

Shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës,  provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin. Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm! Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi.

Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit. Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët.