Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka reaguar për heqjen e titullit qytetar nderi për Veton Surroin. Ai thotë se nuk ka vendim, por një projekt-vendim që duhet të vlerësohet nga prefekti.

Gjici sqaron se ky akt nuk është marrë nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Kukësit, por nga Këshilli i Qarkut të Kukësit.

“Reagim i Detyruar! Nisur nga shumë lajme nga media dhe portalet për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, duhet sqaruar se ky është një projekt -vendim i Këshillit të Qarkut Kukës dhe jo i këshillit Bashkiak Kukës.

Ky projekt -vendim kolegjial i marrë nga Këshilli i Qarkut merr formë nëse do konfirmohet nga Prefekti i Qarkut sipas bazës Ligjore”, tha Safet Gjici.

Reagimi i Kryebashkiakut erdhi pas atij të Kryeministrit Edi Rama, i cili e konsideroi vendimin si një lajthitje kolektive.

Në një tjetër reagim të mëparshëm, Gjici shprehet se “në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale. Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës”.