Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh sot gjatë një interviste televizive se brenda majit të vitit që vjen të gjitha njësitë individuale (banesat) do të jenë ndërtuar, ndërkohë që rreth 90% e pallateve do të jenë gati në tetor të 2021-it.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku. Përmes një postimi në “Facebook”, Tabaku ka publikuar premtimet e Ministrit të Rindërtimit të bëra pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ish-deputetja ka treguar se premtimi për shtëpitë, për shkollat dhe për pallatet të cilat priteshin të rindërtoheshin brenda një viti nuk është mbajtur.

Postimi i plotë i ish-deputetes:

Premtoi se deri në dhjetor familjet do të futeshin në shtëpitë e tyre. Per 1 vit, ka ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive.

Premtoi se në shtator nxënësit do të kishin shkollat e reja dhe qytetarët spitale të reja. Pas një viti, ka ndërtuar vetëm 3% të shkollave të premtuara dhe zero spitale.

Bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara.

Në një vit ka shpërblyer Gjicët e partisë me taksat e shqiptarëve. Sot vazhdon t’i gënjejë me të njëjtën fabul “prisni dhe pak”.

Koha e tij ka përfunduar. Koha e mashtruesve dhe gënjeshtarëve që duan të përdorin çelësat e shtëpive si kapital fushate ka përfunduar. Koha e hajdutëve që edhe në kohë fatkeqësie tragjeditë kolektive i përdorin si mjete këmbimi për votë në fushatë ka përfunduar.

Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një qeveri që punon për të përmbushur premtimet dhe nevojat e qytetarëve!