Referuar 4 episodeve të drogës që prokuroria e akuzon se ka favorizuar trafikun e drogës në vitin 2013, (dy herë) në vitin 2014, dhe 2015, ish-ministri Saimir Tahiri ka ngritur pyetjet se përse në përgjimet ku grupi i drogës Habilaj flet për shefin e madh, nuk është kushdo tjetër, por Tahiri.

"Më akuzoni për përgjimin e Taulant Haxhiraj, ku ai thotë kushërinjtë e ministrit kanë marrë garanci. E pse qenkam unë ministri e jo një tjetër ministër nga Vlora? Pse prokuroria nuk e ka thelluar hetimin ndryshe do t'i binte fabula", tha Tahiri.

Sa i përket akuzave se ka takuar në Tiranë vëllezërit Habilaj, Tahiri është shprehur se më 22 nëntor 2013 ai ka qenë në një takim në Bruksel në atë ditë me me eurokomisioneri Stefan Fyle e me Klajda Gjoshën, në atë kohë ministre e Integrimit.

Ndërkohë, më 23 nëntor që pretendohet se ka takuar Habilajt, Tahiri tha se ka qenë në takim me Visho Ajazin e Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llallën, pasi ishin arratisur nga burgu i Korçës disa të dënuar.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se nuk ka asnjë komunikim telefonik me vëllezërit Habilaj, ndërsa akuzoi për një proces të montuar ndaj tij dhe pa prova.

"Më sillni një provë për 4 episodet që më akuzoni. Grup i strukturuar kriminal kërkon një provë çfarë kam bërë? Ngarkim-shkarkim, ngritje trau, kam blerë cigare për grupin?", tha Tahiri.