Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me reagimet e këtij të fundit për takimin e zotit Basha me qytetarë sot në Durrës.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Bardhi thekson se Rama nuk është tmerruar nga shndërrimi i QSUT-së në një vatër infeksioni të COVID-19. “Propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit. Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit.”, shkruan Bardhi.

REAGIMI I BARDHIT:
Edi Rama nuk tmerrohet nga shndërrimi i QSUT-së në vatër infeksioni për dhjetëra pacientë, mjekë dhe infermierë.
Është fakt se sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurtë e ku masat të ishin me rigoroze.
Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre.
Edi Rama e përdori coronavirusin për të shtypur, vjedhur dhe gënjyer qytetarët. Është fakt se Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që vjedh me tendera sekret e koncesione për oligarkët, dhe urdhëron prishjen e Teatrit në mes të pandemisë.
Ndaj Edi Rama ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit.
Propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit. Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit.