Pas përfundimit të takimit me kryedemokratin Lulzim Basha, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim theksoi se diskutimi ishte fokusuar tek e ardhmja, dhe jo tek e shkuara.

Diplomatja amerikane qartësoi se 31 maj për miratimin e reformës zgjedhore nuk është afat i vendosur nga SHBA.

“Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë. Isha shumë e kënaqur që pata mundësinë të takohesha me kryetarin e opozitës z.Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre, por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet.”, tha ajo.