Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, ku janë prezantuar drejtorët e rinj të ALUIZNI-t dhe të Hipotekave.

Sipas shefit të qeverisë, për herë të parë drejtorët e Hipotekave dhe të ALUIZNI-t u zgjodhën përmes konkurrimit publik. Por pavarësisht kësaj, Rama nuk i la pa theksuar se ata janë në provë.

“Ky takim është publik sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët, të ndjekin këtë proces që ne kemi nisur për të përfunduar parazitizmin në zyrat e shtetit. Ne kemi kërkuar nga qytetarët e zakonshëm në aleancë me ta për të hequr të gjithë grabitqarët dhe parazitët në administratë.

Të gjithë jeni në provë, nuk e keni provën as me partinë e as me qeverinë, por me qytetarët që vijnë në dyert e Hipotekave. Po e ndaj Hipotekën nga ALUIZNI, pasi ka shembuj të mirë për të bërë ndarjen e qartë të shapit nga sheqerit.

Lufta me korrupsion do të vazhdojë çdo ditë, secili nga ju duhet ta ketë të qartë që ta fitojë rrogën nga taksat e qytetarëve.

Janë 35 punonjës hipotekash të cilët janë nëpër gjyqe, si pasojë e platformës të qeverisjes me qytetarët. Çdo drejtor do të mbajë përgjegjësi për çdo ankesë për qytetarët”, tha Rama ndër të tjera gjatë fjalës së tij.