Ditën e djeshme në qytetin e Hasit, Këshilli Bashkiak i dha titullin “Qytetar Nderi”, ish-deputetit të PS-së, Gafurr Mazreku.

Pas vendimit, pati një valë reagimesh politike nga opozita dhe qeveria. Kryeministri Edi Rama tha se PS i ka dërguar një kërkesë prefektit të qarkut Kukës, Zenel Kuçana për të mos firmosur këtë titull.

Pa kaluar 24 orë, mësohet se prefekti i Kukësit nuk do e firmosë titullin për Mazrekun.

KUSH ISHTE GAFURR MAZREKU

Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg.

Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore.

Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.