Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur mesazhit të Presidentit Ilir Meta, i cili tha sot se më 13 tetor të zhvillohen zgjedhjet vendore dhe qendrore, përfshi edhe për Presidentin, pasi në 19 tetor do të jetë shumë vonë.

Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Kryesisë, Rama tha se zgjedhjet mbaruan më 30 qershor dhe nuk e njeh datën 13 tetor, ndërsa duke iu referuar dialogut me opozitën, ai u shpreh se është i gatshëm të për të diskutuar, por jo për zgjedhje të parakohshme.

"Ne jemi të disponueshëm për tu ulur në tryezë me të gjithë pa asnjë përjashtim për të diskutuar për sfidat e vendit, në funksion të Reformës Zgjedhore. Sa i përket Kushtetutës Ligjshmërisë dhe mandatit tonë qeverisë këto nuk janë çështje që i kemi në diskutim sepse lidhen me detyrimet tona. Jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin të mbajmë një mandat për të qeverisur. Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, jemi shumë të angazhuar për ta filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Për këtë kemi ngritur tre këshille drejtues. Ky është fokusi jonë, ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe njerëzve, nuk e  kemi me problemet e opozitës jashtë parlamentit dhe presidentit. 13 tetori për mua është njësoj si 12 tetori, 22 dhjetori, nuk njoh ndonjë 13 tetor", tha Rama.