Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike Durrës kanë zhvilluar pasditen e sotme një protestë para bashkisë së qytetit.

Me pankarta në duar ku shkruhej “Poshtë Narko shteti”, “Dako= Histori krimi + Dështimi”, “Po në qoftëse nuk votojmë PS, do na çojnë te shpia”, “Boll më, shtetin mafioz do e shkulim nga themelet” etj, apo me meme që qarkullojnë në rrjet për kryebashkiakun Dako, të rinjtë e FRPD-së kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe dërgimin pas hekurave të kryebashkiakut Dako.

Protesta e të rinjve erdhi pas skandalit të përgjimeve të publikuara sot nga gazeta gjermane Bild. Të rinjtë shtruan pyetjet: "A ka më autoritet krimi apo shteti?", "A ka më autoritet bashkia apo krimi?" Sipas tyre, zyrtarët e shtetit po kontrollohen nga gangsterët e lagjes dhe kriminelët. Sipas tyre, faktor për situatën kaotike në vend e ka shteti që po drejton me grupet kriminale.

Nuk kanë munguar edhe vezët ndaj fasadës së bashkisë, ndërsa disa të rinj kanë goditur me shkelma derën hyrëse të këtij institucioni.