Pas tërheqjes së Valdrin Pjetrit për marrjen e postit si kryetar i bashkisë së Shkodrës, presidenti Ilir Meta është shprehur se nuk do të dekretojë përsëritjen e zgjedhjeve për bashkinë e këtij qyteti. Meta është shprehur se sipas ligjit për pushtetin vendor, bashkia e Shkodrës do të vazhdojë të drejtohet nga kryetarja aktuale, Voltana Ademi. Po ashtu, presidenti ka thënë për  “A2” se zgjedhjet e vetme të ligjshme janë më 13 tetor.

“Nuk ka nevoje, zgjedhjet janë me 13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”, tha Meta.

Lidhur me akuzat e Valdrin Pjetrit, Meta ka deklaruar se duhet një hetim i thelluar mbi funksionimin e institucioneve shqiptare.

“Problemi nuk është i personit në fjalë, sepse ai edhe pse ka bërë një shkelje të ligjit ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me policinë italiane në rastin konkret. Problemi është kapja e institucioneve që nuk kanë bërë punën e tyre, për të verifikuar shkeljen e ligjit në rastin në fjalë. Fakti që personi ka pasur edhe detyra të mëparshme dhe certifikata të sigurisë të nivelit të lartë, për shkak të detyrave, tregon se duhet të bëhet një hetim me i thelluar për funksionimin e institucioneve të pavarura të shtetit që verifikojnë integritetin e të gjithë zyrtarëve tanë”– është shprehur Meta.