Ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, ka folur në lidhje me dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, si dhe me veprimet e bëra nga ish-kryeprokurorja Arta Marku.

Bylykbashi është shprehur në “Abc news”, se kanë informacione për hetimin e pasojave të tërmetit në Durrës. Demokrati bëri me dije se përveçse janë zhdukur dosjet e lejeve të ndërtimit në bashki, edhe prokurorët e çështjes janë caktuar ata që janë më afër PS.

Ish-deputeti i PD shprehet se këto veprime janë bërë me ndihmën e Arta Markut, ndërsa thekson se mbetet për t’u parë se si do të veprojë Kryeprokurori i ri Olsian Çela. I pyetur nga Milori nëse do të pranojnë ftesën e Ramës për t’u ulur në tryezë, Bylykbashi e refuzoi prerazi.

“Informacioni që na vjen ne përveçse janë zhdukur dosjet e lejeve të ndërtimit, na vjen edhe që në këto grupe prokurorësh për këto çështje janë përzgjedhur prokurorë në mënyrë që të jenë sa më afër partisë. Sigurisht që mund të jenë kontrubut i zonjës Marku dhe të shohim çdo bëjë prokurori i ri.  Është detyrë e Prokurorit të Përgjithshëm që të sqarojë. Ajo që më shqetëson shumë është mënyra se si po reagon shteti. Edi Rama po krijon grupin e ri që duhet goditur, kulakët e rinj që janë ndërtuesit. Një pjesë e tyre kanë përgjegjësi. Kjo kërkon një proces të kujdesshëm. Kryeministri ka për detyrë të ndërhyjë menjëherë. Nuk duhet të priste që kryetari i opozitës të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme sepse kishte hallin e buxhetit. Në tryezë ne ia kemi thënë në sy në publik dhe i kemi dhënë idetë tona. Kemi bërë propozimin që t’i bëjë. Pasi ia kemi thënë se si të zgjidhë situatën ajo tryezë çfarë do të bëjë. Do qeverisë ndonjëherë ky kryeministër?”, tha Bylykbashi