Në një kohë kur qeveria deklaron se procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit po vijon me ritme të shpejta, ende shumë familje janë të detyruara të jetojnë në çadra.

Familja Preni në Mazhë e Madhe në Krujë është ende pa shtëpi që pas tërmetit të 26 nëntorit, ata vijojnë të jetojnë ende në çadër në kushte tepër të këqija.

Gjatë një bashkëbisedimi me ish-deputeten e PD, Orjola Pampuri, Indrit dhe Desilda Preni deklarojnë se nuk mund të ikin nga pronat e tyre dhe shtëpinë e duan të rindërtohet aty ku e kanë pasur.

Desilda Preni: Ne jemi familja Preni. Ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj e ka përmendur ne televizor për…familjen tonë domethën që do të ikin të gjithë. Po unë nuk mund të iki nga vendi im sepse unë kam bagëti, kam vendin tim këtu dhe s’mund të lëviz domethën nga vendi im, nuk e shoh të drejtë këtë gjë. Nuk dua të merrem me llafe politike por e mira është që unë mos të lëviz nga vendi im këto dua unë. 10 muaj që jetoj në çadër edhe fëmijët janë në kushte të vështira normal që jetes e vështirë është këtu.

Orjola Pampuri: Si e kaluat mbrëmjen?

Desilda Preni: Shumë, shumë me frikë e kaluam mbrëmë që ishte një tmerr, domethënë gjithë ai shi gjithë ai situatë. Akoma s’ka ardhur dimri mirë jo kur të vijë I ftohti madhë që është më  e vështirë për neve.

Oriola Pampuri: Domethënë ju nuk kërkoni asgjë…

Desilda Preni: Asgjë nuk kërkoj.

Oriola Pampuri: Kërkoni që të rindërtohet shpia juaj këtu ku e keni?

Desilda Preni: Vetëm kërkoj nga shteti që shtëpia të rindërtohet këtu në vend tonë. Kaq duam. Asgjë tjetër!

Indrit Preni:  Peticion kemi bërë, e kena çuar te Bashkia…

Oriola Pampuri: Për cfarë e keni bërë peticionin?

Indrit Preni: Peticionin e kemi bërë për të mos luajtur prej vendit këtu. Me na e bo shpinë këtu në vend.

Oriola Pampuri: Dhe cila ka qenë përgjigjja nga Bashkia që keni bërë peticionin?

Indrit Preni: S’ka, nuk na kanë kthy përgjigje fare. Përgjigje nuk na kanë kthy. Fjalë nuk duam fare, unë dua shpinë, por e du këtu në vend tem.