Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu në një bashkëbisedim me presidentin Meta dhe ekspertë të tjerë të shëndetësisë foli për testet imumologjike dhe PCR.

Sipas tij, testet imunologjike duhet të vazhdojnë, por jo të zëvendësojnë PCR. Ai hodhi dyshime se ka interesa financiare për të zëvendësuar PCR me testet imunologjike.

“Nëse flasim për testimet e shpejta PCR unë jam dakord që të fillojnë edhe testimet e shpejta imunologjike, serologjike apo nga fyti, por mbi bazë imunologjike, por ato nuk mund të zëvendësojnë PCR. Testimet imunologjike duhet të vazhdojnë, por pa ulur PCR. Janë si dy binare që ecin dhe ndihmojnë njëra-tjetrën. Por këtu ka interesa financiare nga ca kompani që duan të zëvendësojnë PCR me teste imunologjike”, tha Shehu.

Ndërkohë Petrit Vasili bëri të ditur se vija e zjarrit e ashtuquajtur e spostuar në QSUT  është një vijë zjarri që është vendosur gabim, sepse duhej vendosur në gjithë territorin

“Në këtë mes do të thosha që themeli i gjësë mbetet që i gjithë sistemi të jetë i alertuar, të ketë një dekoncentrim të situatës. Vija e zjarrit e ashtuquajtur e spostuar në QSUT  është një vijë zjarri që është vendosur gabim, sepse duhej vendosur në gjithë territorin, pasi kemi të bëjmë me një pandemi.

Në rast se nuk e pranojmë pandeminë në të tërë tërësinë e masave të veta, por nisemi nga masa të shkëputura, do të na ndodhë që do marrim masa që nuk e kufizojnë pandeminë dhe nuk e bëjnë popullatën solidare me ne”, u shpreh Vasili.