Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ndodhet në forumin e përvitshëm "Cavtat" që mbahet në Durovnik të Kroacisë, ku marrin pjesë parlamentarë të shumtë nga Bundestagu i Gjermanisë, Parlamenti Europian si dhe ekspertë të ndryshëm nga Europa Lindore.

Në një postim në Facebook, Bushati ndalet edhe te sfidat që ka sot Shqipëria për anëtarësim në familjen e madhe të Bashkimit Europian ndërsa i bën thirrje politikës shqiptare që të ndajë qartë interesin e epërm kombëtar nga politika e përditshme.

POSTIMI I PLOTË

Pas një dekade u riktheva në Forumin e përvitshëm të Cavtat, në Dubrovnik, i cili mbledh së bashku parlamentarë nga Bundestagu gjerman, Parlamenti Evropian, Evropa Juglindore dhe ekspertë, të interesuar për progresin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Teksa javës tjetër presim nga Vendet Anëtare të BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve të pranimit, në përputhje me Konkluzionet e BE-së të Qershorit 2018, është me rëndësi që qëndrimet skeptike e frenuese ndaj procesit të zgjerimit të mos ngadalësojnë motivin tonë për të vijuar me procesin e vështirë të reformave transformuese.

Evropa, si projekt i shpresës është e vetmja rrugë për të fuqizuar demokracinë, për të projektuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror.

Kjo nuk është çështje kapitujsh e ligjesh në letër, por çështje e Shqipërisë së nesërme. Pavarësisht qëndrimit që mund të ketë sot Franca, nesër Holanda apo pasnesër një vend tjetër anëtar i BE, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga jonë do të jetë e përpjetë. Ndaj, na duhet një Pakt për Evropën dhe angazhim i njëmendtë politik e shoqëror për të ndarë interesin e epërm kombëtar nga politika e ditës. Procesi i anëtarësimit në BE duhet të korrespondojë gjithnjë e më shumë me modernizimin, demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë së nesërme.