Seanca dëgjimore në Komisionin e Medias për paketën Anti-Shpifje është zhvilluar me debate të forta. Sot janë dëgjuar propozimet e grupeve të gazetarëve e pedagogëve, ku merrnin pjesë Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Alfred Lela etj.

Teksa po shpjegonte gazetari Alfred Lela, deputetë të caktuar të Komisionit të Medias po flisnin nga vendi, duke detyruar kryetaren e komisionit që të ndërhynte për të kërkuar qetësi.

Më pas ka pasur debate me tone të larta mes gazetarit Lela dhe deputetit të ri të dalë nga listat e opozitës, Halit Valteri.

Kryetarja e Komisionit të Medias: Vazhdojmë z.Lela, pak respekt të lutem për të ftuarit.

Alfred Lela i drejtohet një deputeti: A mbarove zotëri? Mbarove? Sikur je tapë mor burrë i dheut! I ke sytë…

Kryetarja e Komisionit u drejtohet deputetëve të mazhorancës: Ju po e zhvilloni kështu seancën. Po i ofendoni ata që janë këtu, po i ofendoni. Po i censuroni.

Deputeti Halit Valteri: Nuk i drejtohesh dot askujt asnjë deputeti të Republikës së Shqipërisë. Nuk i drejtohesh dot a je tapë a je s’je tapë.

Alfred Lela: Po çfarë deputeti je ti mor të faltë Zoti.

Deputeti Halit Valteri: Atëherë për çfarë ke ardhur për të dhënë llogari?

Alfred Lela: Me gjithë mend e ke?

Deputeti Halit Valteri: Për çfarë ke ardhur të japësh llogari këtu?

Alfred Lela: E di veten deputet?

Deputeti Halit Valteri: Ti çfarë e di veten?

Kryetarja e Komisionit të Medias: Vazhdojmë me rendin e ditës të lutem.

Deputeti Halit Valteri: Është turp për ju si gazetarë dhe a na njeh ti si deputet a nuk na njeh, kjo nuk ka fare rëndësi. Të kërkoj ta tërheqësh fjalën që i thatë zotërisë në fjalë.  

Pas replikave dhe debateve, pedagogët e Gazetarisë braktisën mbledhjen e Komisionit të Medias.