Partia Demokratike e ka quajtur lajm të rremë lajmin e publikuar një ditë më parë, nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës, që sipas saj Banka Botërore e rendit Tiranën si një nga qytetet më të pastra në Ballkanin Perëndimor. 

Në një postim në Facebook, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa shkruan se Banka Botërore nuk ka asnjë matje, që Tirana të jetë me cilësinë e ajrit më të lartë.

“Fake news i qëllimshëm për cilësinë e ajrit të Tiranës, në shërbim të propagandës së Veliajt. Banka Botërore nuk ka asnjë matje që Tirana sot të jetë me cilesinë e ajrit më të mirë në rajon, matja e fundit e kryer në database e Bankes Botërore që i referohet edhe studimi i përmendur nga media është viti 2013.

Studimi që media të caktuara për qëllime propagandiste në shërbim të kullave dhe të Veliajt, e keqpërdoren,është një studim në lidhje me sfidat Covid 19 dhe ndotjen e ajrit në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi nuk është renditja aktuale e qyteteve siç e keqpërdoren media të caktuara por studiohen lidhjen mes ndotjes se ajrit dhe koronavirusit.

Matja e fundit për Tiranën që është realizuar nga Numbeo, portali më i madh i të dhenave për cilësinë e jetës, është për gjashtëmujorin e dytë të 2019, edhe në korrik 2020 të dal për gjashtë mujorin e parë 2020.

Numbeo tregoi se ndotja në Tiranë është më e lartë në gjashtë mujorin e parë të 2019-s, duke shënuar 83.72 pikë, nga 82.8 që përllogaritej në fillim të këtij viti. Numbeo vlerëson se për gjashtë mujorin e fundit të 2019 Tirana ishte kryeqyteti më i ndotur i Europës!

Por që Tirana ka cilësinë me të keqe të ajrit kuptohet edhe pa studim, mjafton të shikojmë kullat e betonit që ngrihen çdo dite. Ne 4 vite Veliaj ka dhëne më shumë se 780 leje ndërtimi, ku 80% janë ndërtesa mbi 13 kate për qëllime private. Çdo propagandë nuk e fsheh dot realitetin që qytetarët jetojnë çdo ditë”, shkruan Ina Zhupa.