Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e sheh situatën në vend si dramatike pa qeveri dhe opozitë dhe ka bindjen se kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, vijojnë paktin mes tyre.

Në një intervistë për "Panorama", ish-kryetarja e Parlamentit e cilëson Bashën si modeli i dështuar i një politikani të komprometuar. Sipas Topallit, shqiptarët mund e duhet të bashkohen kundra 4 politikanëve të lidhur me 10 oligarkët, që sundojnë mbi fatin e jetës së tyre.

A do të angazhoheni ju drejtpërdrejt në një projekt të ri politik jashtë PD-së apo do të ndërmerrni ndonjë aksion politik brenda kësaj partie?

Sot në Shqipëri nuk qeveris PS-ja. Dhe në opozitë nuk është PD-ja. Sot nuk ka parti të majtë dhe as të djathtë. Nuk ka as qeverisje dhe as opozitë. Sot pushteti dhe farsë opozita janë bashkë. Sot sundojnë 4 vetë, 10 oligarkë dhe disa banda kriminale. Ndërsa në opozitë janë njerëzit e thjeshtë. Ata që po ikin jashtë Shqipërisë, gjithë ata që mendojnë të ikin se nuk besojnë se me këtë klasë politike ndryshon gjë dhe ata që janë një shumicë e heshtur- ata janë opozita. Rama ka humbur çdo kontakt me realitetin, pavarësisht përpjekjeve të tij të dështuara për një PR tjetër. Pakënaqësia ndaj Ramës është rritur vrullshëm. Shqiptarët refuzojnë arrogancën e Ramës, padijen e tij për qeverisjen, korrupsionin e pakufi të qeverisë së tij. Shqiptarët refuzojnë që kryeministri i vendit të jetë njësh me oligarkët dhe aleat me krimin.

Për shkak të këtyre politikave të Edi Ramës ka një shpërthim të pabarazisë ekonomike. Është fatale që një numër krejt i vogël oligarkësh të kontrollojnë pasurinë e 98% të qytetarëve. Disa zhgërryhen në miliona e shumica e njerëzve jetojnë nën stresin e pamundësisë për të paguar energjinë, qiranë, dritat, shkollën e fëmijëve e bukën e gojës. Ndërkohë, pas një eksperimenti unik të pashoq, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e shpejt pa Gjykatë Apeli.

As në kohën e Enver Hoxhës kjo nuk ka ndodhur (formalisht). Mungesa e shtetit ligjor dhe padrejtësitë e mëdha sociale çojnë ose në shpërthime të pakontrolluara, ose në çimentimin e mafies në drejtim të shtetit. Në këtë situatë dramatike, opozita farsë e kësaj periudhe ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Që gjërat të mos shkojnë edhe më keq, është emergjente të ndërhyhet. Ose duhen reformuar në mënyrë radikale forcat politike ekzistuese, ose duhen krijuar lëvizje të reja që të çojnë në forca të reja politike. Ajo që quhet opozita e sotme kishte detyrën dhe shansin t’i jepte alternativë vendit.

Për fat të keq, nuk e bëri. Lulzim Basha nuk përfaqëson as të djathtën, as të rinjtë. Ai sot është modeli i dështuar i një politikani të komprometuar. Ambiciet financiare të kryetarit vendosën interesin privat, personal mbi misionin dhe interesin publik që opozita duhet të ketë. Me qeverinë më të keqe të 30 viteve si kjo që është sot, opozita duhej ta kishte mundur që në mandatin e parë, disa herë Edi Ramën. Edi Rama do vazhdojë të sundojë në zonën e tij të komfortit, për sa kohë në krye të opozitës do të ketë Lulzim Bashën.

Me gjithë situatën dëshpëruese, unë besoj se ka rrugëdalje. Shqiptarët mund e duhet të bashkohen kundra 4 politikanëve të lidhur me 10 oligarkët, që sundojnë mbi fatin e jetës së tyre. Shqiptarët rrëzuan diktaturën më të egër para 20 viteve. Po si mund të besoj unë se ata nuk do rrëzojnë Edi Ramën. Ka një të vërtetë për sot e përgjithmonë: Nëse një politikan komprometon veten me kundërshtarin, ai nuk ka shans ta mundi atë. Dhe në fakt, ai nuk i hyn në punë askujt as sot, as nesër. Vendi ynë ka plot njerëz të ndershëm, të papërlyer, ka të rinj idealistë, ka burra e gra guximtare që duan të ndërtojnë jetën në tokën e tyre. Ata do ta rrëzojnë Edi Ramën bashkë me mikun e tij të mirë Lul!