Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli ka sulmuar Lulzim Bashën dhe grupin e ri parlamentar në lidhje me mbledhjen e sotme të zhvilluar në selinë blu. Në një status në Facebook, me këtë veprim Basha tregon urrejtjen që ka ndaj grupit ekzistues parlamentar, që është ende legjitim deri në shtator kur formohet Parlamenti i ri.

Topalli thotë gjithashtu se Basha nuk e mblidhte asnjëherë grupin parlamentar kur i kërkohej dhe kur e detyronte statuti, ndërsa tani që ka mbetur edhe një muaj nga legjislacioni i ri, ka thërritur në mbledhje grupin e ri parlamentar duke anashkaluar “gardën e vjetër”.

Një pjesë e deputetëve të grupit aktual parlamentar kanë dalë hapur si kundërshtarë të Lulzim Bashës dhe e akuzojnë si përgjegjësin kryesor për humbjen katastrofike në zgjedhjet e 25 qershorit.

Statusi në Facebook i Jozefina Topallit:

“Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im”.

Sot kur, KQZ miratoi me 7:0 rezultatin përfundimtar të 25 qershorit, ku e majta ka më shumë se 2-fishin e votave të Listës Basha, Kryetari i delegjitimuar nga 22 Korriku dhe i shkarkuar me humbjen katastrofale të 25 Qershorit, nuk di as të fsheheë më urrejtjen e egër të tij ndaj grupit parlamentar, që bëri opozitën më të fortë kundra krimit në Parlament e luftën më të fuqishme kundra drogës si politikë shtetërore të Edi Ramës .
Urrejtja kundra grupit të deputetëve, që bojkotoi një vit Kuvendin në një sakrificë gati unike, është e vetmja gjë e pakamufluar nga Lulzim Basha.
Ai sot, 4 ditë pas vetëshkrirjes, duke rendur kundër arsyes, në kundërshtim me Kushtetutën, në dhunim të çdo norme morale dhe etike, jo vetëm që nuk e njeh më as ligjërisht grupin parlamentar të PD, por në një gjest të paprecedent, nuk i durohet të presë edhe një muaj, siç e do rasti e rregulli, kur mbaron mandati i legjislaturës aktuale.
Ky që nuk mblidhte grupin parlamentar kur e detyronte statuti, kur e kërkonte koha dhe deputetët që thirrnin me shqetësim që të mos çonte PD drejt greminës( sic ndodhi në fakt siç e paralajmëruam), sot mbledh listën e tij klienteliste familiare me shpresë se pas kësaj do shpëtojë nga ankthi i manipulimit dhe falsifikimit të pjesëmarrjes të 22 Korrikut dhe rezultatit katastrofal me minus 230 mijë vota të 25 Qershorit.
Krejt si Makbethi, kur flet me vete e pëshpërit:
” Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im.”