Kryetarit i PD-së, Lulzim Basha është marrë për rreth një orë e gjysmë në pyetje  nga prokurorët belgë në lidhje me çështjen e “Toyota Yaris”.

Në një prononcim për median në përfundim të saj Basha tha se kishte dhënë më shumë informacion se kishte bërë publike dhe se Taulant Balla duhej të ishte arrestuar.

"Siç e kuptuat, dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave të drejtësisë shqiptare. Dhashë informacion të plotë mbi cështjen duke i qëndruar asaj që i kam bërë publike, edhe më shumë se ajo që kam thënë në publik. Sot në pranga duhet të ishte Taulant Balla. Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin e vendit. Edi Rama dhe qeveria e tij janë vënë në shërbim të pastrimit të parave të pisëta të krimit. Të gjitha koncesionet dhe projektet e qeverisë janë pastrim parash të drogës dhe të krimit. Projekti i stadiumit është pastrim parash. Projekti i teatrit është pastrim parash. Projekti i Unazës është pastrim parash. Edi Rama është një hajdut psiqik që ka vetëm një ideal, një aspiratë, një moral; paranë. Për para po grabit dhe shet gjithë Shqipërinë. Për para bën aleancë me krimin dhe me çdo kënd. Ne do ta ndalim. Ne do të ndjekim dhe gjurmojmë çdo qindarkë që Edi Rama dhe kriminelet po mundohen të futin në ekonomi.  Çdo koncesion, çdo ndërtim, çdo kontratë do të gjurmohet për çdo qindarke, si për ata që e kanë dhënë edhe ata që e kanë marrë. Lufta kundër pastrimit të parave do jetë prioritet kombëtar",- tha Basha.