Në fjalimin e fundit para Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj, foli për drejtorë të përgjithshëm në PS-në e Durrësit që kishin marrë kontakte me këshilltarët për t’i kërkuar të votonin pro shkarkimit të tij, por pa kaluar në emra të përvetshëm. Në një intervistë për DurrësLajm, Tragaj flet për emra konkretë, që sipas tij kontrollojnë edhe pëlqimet apo komentet në Facebook që bëjnë këshilltarët apo krerët dhe anëtarët e organizatave socialiste.

“Janë administratori i OSHEE, Adrian Çela dhe drejtori i përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi, që duke pasur një numër të madh punonjësish në varësi dhe lidhje interesash, ata që kanë kontaktuar këshilltarët duke u thënë: Shiko se ti ke vëllanë në punë aty; Ti ke hallën aty; Ti ke tezen këtu, duhet të votosh këtu, duhet të votosh aty! Ashtu siç i kanë takuar ata këshilltarët i kam takuar edhe unë për nevojat e mia. Kam qenë aty kur telefoni është hapur me Viva Voce dhe kam dëgjuar këto biseda”,- thotë Tragaj duke drejtuar gishtin drejt Çelës dhe Dyrmishit, si dy nga personat që qëndrojnë pas shkarkimit të tij.

Në të njëjtën kohë, Tragaj deklaron se ka dëgjuar se Çela dhe Dyrmishi kanë kohë të merren edhe me “kush i bën like në Facebook dhe kujt”, pasi sipas tij këshilltarë të ndryshëm i kanë thënë se kanë frikë ta mbështesin edhe në rrjete sociale, pasi në rastin e kandidatit të vetëshpallur të PS-së Durrës, Ardit Kërtusha, ata që i kanë bërë like në takimet me organizatat dhe më pas janë telefonuar nga këta drejtorë.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me atë se çfarë po ndodh në Partinë Socialiste të Durrësit kohët e fundit, avokati Tragaj deklaron se kasta që e drejton degën lokale prej gati 12 vitesh nuk po e kupton se duhet të largohet.

Duke u nisur nga historia e rreth 12 viteve më parë, kur drejtuesit e asaj kohe Gazmir Bizhga, Astrit Kote etj u larguan për t’i lënë hapësira emrave të rinj dhe një fryme të re në parti, Tragaj shprehet se drejtuesit aktualë e kuptojnë se ka ardhur koha të largohen, por nuk duan ta pranojnë.

“Ata kanë filluar këto intrigat e vogla, që në fjalorin tonë të avokatëve i quajmë intriga burgu. Kjo po ndodh në Partinë Socialiste të Durrësit. Kjo duhet të jetë një situatë normale. O do ikësh si zotëri, o do ikësh i humbur”, – thotë Tragaj ndër të tjera.  

M.B.