“Strukturat drejtuese të PS-së Durrës thirrën sekretarin e përgjithshëm dhe njëkohësisht kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla, për të bindur këshilltarët të votonin politikisht, sepse në të kundërt shkarkimi im nuk do të ndodhte”.

Kështu shprehet ish-sekretari i Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj, i cili akuzon ish-kryebashkiakun Vangjush Dako se dëshiron të mbajë nën kontroll parlamentin e qytetit.

Në një intervistë të gjatë për DurrësLajm, Tragajt thotë se "insistimi i strukturave drejtuese të PS-së për të më shkarkuar duke e futur dy herë në rendin e ditës, të dy mbledhjeve të Këshillit Bashkiak lidhet jo me faktin se në kohën kur u përfshiva në këshill (4 vite më parë) i përkisja formacionit politik LSI, por sepse unë nuk bëj kompromis me ligjin”.

Duke bërë një krahasim mes këshillit të kaluar dhe atij aktual, që megjithëse një ngjyrësh duket se ka probleme të brendshme, Tragaj shprehet:

“Këshilli Bashkiak i kaluar kishte debate që deri diku ishin konstruktive, por në rastin konkret do doja që këshilltarët të kapërcejnë pjesën e të qenit partiakë dhe të jenë më konstruktivë”.

Duke u ndalur tek ish-kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Alfred Mullaraj, Tragaj kujton se mbledhjen e fundit ju drejtua atij posaçerisht për t’i kujtuar se në këshillin e kaluar ai i vlerësonte përherë këshilltarët opozitarë që dilnin edhe kundër vendimit të partisë ku aderonin dhe mbështesnin ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.

“Nga sjellja e tanishme e Mullarajt në Këshill kuptoj se ai edhe më parë edhe tani mbështeste individin dhe jo vendimin e drejtë apo të gabuar të kreut të bashkisë”,– deklaron Tragaj.

Ai vlerëson punën e deritanishme të bërë nga kryebashkiakja Sako, pasi sipas tij mandati i fundit i Dakos linte për të dëshiruar në drejtim të shërbimeve që i ofroheshin qytetarëve.

“Kryetarja Sako po punon me të njëjtët drejtorë, me të njëjtin staf, por ritmi i bashkisë është komplet ndryshe, shumë më i shpejtë”, thotë avokati.

Angazhimin e tij në të ardhmen, tani për tani Tragaj e sheh larg formacioneve politike dhe të fokusuar në anën profesionale.

“Me studion time do mbështes edhe ligjërisht nisma qytetare nëse do më jepet rasti”,– thotë avokati, ndërkohë që nënvizon se nuk do të mungojë me komentet e tij mbi aspekte të ndryshme të jetës në qytet, apo zhvillime brenda Këshillit Bashkiak.

M.B.