Reforma zgjedhore vijon të jetë në ngërç për shkak se opozita parlamentare ka deklaruar se nuk do e votojë miratimin e saj në Kuvend për aq kohë sa mazhoranca nuk pranon kërkesën e tyre për listat e hapura.

Lidhur më këtë çështje kryeministri Rama zhvilloi dy takimi me  opozitë parlamentare , por nuk mundi të gjejë rrugën e konsensusit.

Ndërkohë, tre deputetë të opozitës parlamentare, kreu i Ballit Kombëtar Artur Roshi, Besnik Troplini dhe Fatjona Dhimitri deklaruan se do të votojnë pro draftit të marrëveshjes zgjedhore që do të futet për t’u miratuar në seancën plenare në datë 23 korrik.

Me 77 deputetët që ka shumica socialiste në Kuvend dhe 3 të deklaruarit ditën e sotme, numri i votave shkon në 80 pro reformës zgjedhore , por për t’u miratuar drafti duhen 84 vota. Deputeti Artur Roshi u shpreh se nuk janë të kënaqur me marrëveshjen, por nuk mund të bllokojnë integrimin.

“Sa i përket prekjes së Kushtetutës, sipas meje, ajo është simbol i unitetit, prandaj ndërhyrja nuk duhet bërë në mënyrë të njëanshme. Nëse vazhdojmë me lojën e kartonëve, kjo nuk na çon askund. Balli Kombëtar Demokrat ka qenë gjithmonë në mbështetje të proceseve demokratike. Përfundimisht, ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, jo se morëm atë që deshëm, por i duhet vendit. Para integrimit në Evropë nuk mund të zgjedhim interesat tona. Hapja e negociatave është një gradë lirie për shqiptarët. Ne nuk mund të pranojmë ndërrimin e Kushtetutës me një prag 3 apo 5%. Nuk mund të pranojmë heqjen e koalicioneve. Sa i përket hapjes së listave, është e artikuluar prej meje prej 5-6 vitesh për lista të hapura. I qëndrojmë kësaj, por në pamundësi zgjedhim këtë rrugë,”– tha Roshi.

Ndërkohë, deputetja Fatjona Dhimitri tha se marrëveshja e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët nuk mund të mbahet peng në Kuvend.

“Nuk mund të pengoj procesin e integrimit. Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët nuk mund të mbahet peng nga Kuvendi. Konsensusi i arritur në 5 qershor është i vetmi kusht i plotësuar.  Unë nuk do të ndërmerrja kurrë veprime që do të dëmtonin këtë arritje”, tha Dhimitri.

Edhe deputeti tjetër i Ballit, Besnik Troplini u shpreh pro. “Balli Kombëtar është një parti e ndërtuar në perëndim dhe sytë tanë kanë qenë përtej detit në BE”.