Kryeministri grek Alexis Tsipras thekson se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë, është një ndër kushtet kryesore për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë, kreu i qeverisë greke thotë se ia ka shpjeguar edhe Kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Në një shkrim të botuar nga "Finantial Times", në të cilin Tsipras flet për disa çështje, ndër to edhe marrëveshja e emrit me Maqedoninë e Veriut, Kryeministri grek thotë se ka qenë i qartë më Edi Ramën, se Tirana duhet të mbrojë të drejtat e minoritetit grek, në të kundërt rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian do të jetë e mbyllur.

Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Tsipras thotë se “Greqia dhe unë personalisht do të mbështesim një vendim të mundshëm në Qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që të nisin procesin e anëtarësimit në BE sëbashku… Por ne nuk do të vemë në rrezik procesin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ka bërë progres. Do të ishte e padrejtë”.

Në shkrimin e saj, Finantial Times thotë se pas marrëveshjes së emrit me Maqedoninë e Veriut, hapi logjik do të ishte zgjidhja e ngërçit të marrëdhënieve Greqi-Shqipëri, aktualisht të ngecura pas një dialogu premtues të nisur në nëntor të 2017-s. “Çështjet e pazgjidhura përfshijnë kufijtë detarë, ligjin teknik të luftës që ka ekzistuar mes dy shteteve që prej 1945 dhe statusi i minoritetit etnik grek në Shqipëri”, shkruan "Financial Times".