Turqit në Durrës, rusët në Athinë

05/12/2013 - 16:28

Ankaraja mund të kërkojë vizita miqësore të luftanijeve edhe në portin e Sarandës, teksa Moska i ka kërkuar Greqisë që në portet e saj të mirëpresë skuadronin e Mesdheut

DURRËS, 5 dhjetor 2013 – Ka qenë një përkim domethënës që ka ndodhur më 3 dhjetor 2013: në portin e Durrësit mbërrinte për një vizitë miqësore një anije e Rojës Bregdetare turke në kuadrin e bashkëpunimit midis flotave të dy vendeve të NATO-s pasi kishte qenë në portin italian të Mesinës, në Athinë ishte për vizitë ministri rus i Mbrojtjes, që i kërkonte Greqisë, një vendi të NATO-s përdorimin e porteve për strehim dhe riparime të anijeve të skuadronit rus të Mesdheut (shih foton kryesore). Në një konferencë shtypi në anijen në Durrës, ku ishte i pranishëm dhe atasheu ushtarak turk kolonel Nizametin Dogjar (Nizamettin Doğar), në një bisedë me “Dyrrah”-un, nuk e dinte që porti jugor i Sarandës, në kufi me Greqinë, kishte infrastrukturën përkatëse për bregëzim luftanijesh, për më tepër që këtu ka qenë një bazë ushtarake-detare shqiptare. Koloneli e shihte me interes alternativën e portit jugor për prani miqësore turke. Aktualisht, në terminologjinë politologjike ruse po flitet edhe për të ashtuquajturën “diplomaci kanonierash” (anglisht: gunboat diplomacy), duke dashur të ringjallin madhështinë perandorake ruse të carëve dhe sovjetike për marshim drejt deteve të ngrohta të Mesdheut. “Diplomacinë e flotiljeve” në Mesdhe perandoria sovjetike e Stalinit e ushtroi nëpërmjet Shqipërisë, 4 vjet pas përfundimit të Luftës së II Botërore. Operacioni i parë luftarak, në të cilin morën pjesë detarët e FLD të BRSS në periudhën e pasluftës, në teatrin e Mesdheut, ishte sekret dhe kishte të bënte me asgjësimin e minave detare në dhjetor 1948 në brigjet e Shqipërisë.

Për herë të parë në Mesdhe nëpërmjet Shqipërisë

Në vitin 1949 në Vlorë, nëpërmjet një ceremonie sekrete, forcat detare sovjetike morën në dorëzim si trofe lufte koracatën italiane “Giulio Cesare” (më vonë “Novorossijsk”). Më 31.5-4.6.1954 një detashment anijesh i Flotës së Detit të Zi, i përbërë nga kryqëzori “Admiral Nahimov” dhe dy minaheqëse / dragamina eskadre nën komandën e admiralit S. G. Gorshkov bëri një vizitë në Durrës. Ishte udhëtimi i parë pas luftës i luftanijeve sovjetike në vendet e detit Mesdhe. Në nëntor 1957 komandanti i Flotës së Detit të Zi, V.A. Kasatonov, i paraqiti shefit të shtabeve të bashkuara të Forcave Ushtarako-Detare, admiralit V. A. Fokin, propozimet e tij për përdorimin e Shqipërisë për bazimin e forcave të flotës në Mesdhe. Ai propozoi bazimin në gjirin e Vlorës, në Pasha-Liman, të një brigade nëndetësesh prej 10-12 njësish, një pjesë e të cilave t’i dorëzoheshin flotës shqiptare. Për mbrojtjen e bazave presupozohej t’u dorëzoheshin shqiptarëve katër divizione raketash kundëranijesore “Strela”. Hyrja në Pasha-Liman të mbulohej më pengesa prej gardhi me rrjetë. Për mbrojtjen e bazës të vihej në dispozicion një divizion anijesh kundërnëndetëse dhe heklikopterë kundërnëndetëse. Atëherë u shtrua çështja e krijimit të një mbrojtjeje kundërajrore të fuqishme të bazës së ardhshme. U kërkua dhe bazimi në një aerodrom të Shqipërisë të regjimentit të avionëve gjuajtës “Tu-16”. Ndërkaq në vitin 1961 Shqipëria i dëboi sovjetikët nga Shqipëria dhe Mesdheu. Por po i fut Greqia pas rreth një çerekshekulli.

Aktivizmi

“Është koha për aktivizëm (Vremya aktivnykh destvii)” ky është titulli i një shkrimi të botuar më 4 dhjetor 2013 në “Krasnaya zvezda”, e përditshme e Ministrisë ruse të Mbrojtjes (shih faksimilen dhe linkun: http://www.redstar.ru/index.php/component/k2/item/13108-vremya-aktivnykh-dejstvij). Sipas kësaj gazete, vizita zyrtare e Ministrit rus të Mbrojtjes gjeneral armate Sergei Shoigu, që u zhvillua më 3 dhjetor 2013, vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së medieve. Duke komentuar rezultatet e vizitës, shumica e tyre shprehën mendimin se jo vetëm është bërë një hap i rëndësishëm në rrugën e thellimit të bashkëpunimit ushtarak-teknik midis dy vendeve, por edhe do të ketë një ndikim pozitiv në situatën në Mesdhe. “Ekspertët tanë tashmë do të merren tërësisht me detajet e tij, që kanë të bëjnë me aspektet nga më të ndryshme të bashkëpunimit tonë, duke përfshirë edhe atë midis flotave”, - deklaroi ministri i mbrojtjes i Rusisë rus pas bisedimeve me homologun e tij grek Dimitris Avramopulos. Gjatë bisedimeve u fol mbi zhvillimin e stërvitjeve komando-shtabi, shkëmbimin e përvojës në luftën kundër terrorizmit dhe piraterisë, në fushën e mjekësisë ushtarake, arsimit, në punën ushtarake-historike. Sergei Shoigu i propozoi gjithashtu Greqisë të marrë në konsideratë mundësinë e hartimit të një marrëveshjeje për thjeshtësimin e rendit të hyrjes së luftanijeve ruse në portet e saj. Kjo çështje u ngrit dhe gjatë takimit të kreut të dikasterit ushtarak rus me kryeministrin grek Antonis Samaras. “Ne besojmë se ka ardhur koha për hapa më aktivë në kuadër të bashkëpunimit ushtarak-teknik midis dy vendeve, prandaj do të donim të diskutonim mundësinë e një pranie më të dukshme këtu të flotës sonë, të shërbimit të luftanijeve tona në porte dhe doket greke”, - nënvizoi Sergej Shoigu para fillimit të këtij takimi. Gjatë bisedës, që pati karakter konfidencial dhe paraqitës, palët vlerësuan si pozitive proceset, që i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit midis dikastereve të mbrojtjes të Rusisë dhe Greqisë, zhvillimit dhe thellimit të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe shprehën besimin se në të ardhmen do të fitojnë një përmasë dhe dinamikë më të madhe.

Miopia e vartësve të Kodhelit

Nëse anijen turke në portin e Durrësit e vizitoi Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe autoritetet e larta vendore të qytetit, në sajtin e Ministrisë së Mbrojtjes nuk kishte asnjë njoftim për mbërritjen e mjetit lundrues të Ankarasë. Vetëm në sajtin e Forcave të Armatosura kishte një lajm të thatë (shih faksimilen, link: http://www.aaf.mil.al/index.php/te-fundit/2453-shshpfa-gjeneralmajor-jeronim-bazo-viziton-anijen-turke-te-antindotjes-te-ankoruar-ne-durres) për vizitën këtu të shefit të shtabit Jeronim Bazo. Madje, hartuesit e lajmit nuk dinin emrat e kryetarit të bashkisë së Durrësit dhe kryetarit të Këshillit të qarkut, prefektit, “mëkëmbës” i kryeministrit në qarkun e Durrësit. Po ashtu mungonin të dhënat mbi anijen. Por mbi të gjitha, në dikasterin e zonjës Mimi Kodheli nuk marrin vesh aspak nga gjeostrategjia dhe rëndësia e pranisë ushtarake turke në Shqipëri.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore arriti sot në një konsensus mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të adresojnë rekomandimet e OS

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, vlerëson marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se duhet imp

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje për Reformanë Zgjedhore.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi reagoi pas lajmit se në Shqipëri është arritur marrëveshja për Reformën Zgjedhore.

Edhe kryeministri Edi Rama reagoi pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Ai shkroi se e rëndësishme është që Lulzim Basha d

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në përfundim të mbledhjes së këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, për të cilën palët vendosën të dak

Në fund të mbledhjes së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, tha se është arritu

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Këshilli Politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votues

Zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi, ka reaguar pas opinionit të Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje.