Ish-deputetja e LSI-së në Durrës, Nora Malaj ka rrëfyer në një lidhje live me News 24, tre javët e vështira të luftës me koronavirusin.

Vihej re ndryshimi drastik që ajo ka pësuar në pamje, pasi ka humbur 6 kilogramë. Malaj u shpreh se fillimisht mendonte që ishte prekur nga gripi, por skaneri ka treguar që po kalonte virusin, të cilin ia ngjiti edhe bashkëshortit.

“Kam kaluar tre javë jo të lehta…Se dija që ishte covid, mendova që ishte ftohje. E ndjeva veten të dobët, kisha temperaturë dhe kollë. Bisedova pastaj me mjekun Pipero, u alarmua edhe ai për shkak të diabetit që e kam pak të agravuar. Bëra disa analiza, u konstatua që ishte korona. Skaneri e përcaktoi përfundimisht se kisha arritur kulminacionin në ditën e 5-të. E mori edhe im shoq nga unë. Ai e pati në dozë më të lehtë, unë e kisha më të vështirë se më rritej edhe diabeti. Djersinim pafund të dy. Kam marrë holluës gjaku për ta përballuar, më ka lënë disa probleme edhe tek sytë, por edhe në rrugët urinare. Rashë gati 6 kg brenda 21 ditëve.”