Një ditë pas thirrjes në Prokurori lidhur me lobimin ne SHBA, sot ish-sekretar i përgjithshëm i PD, Arben Ristani është paraqitur pranë organit të akuzës.

Pas rreth 60 minutash marrje në pyetje në Prokurori, Ristani në një deklaratë për mediat u shpreh se kishte kërkuar provat nga kjo dosje, dhe nuk i ishte dhënë asnjë. Ai tha se ky është një proces i nxitur politikisht dhe se nuk kishte asnjë dokument me firmën e tij për dhënie apo marrje pagesash.

"U paraqita me ftesë të prokurorisë duke më marrë në pozicionin e të pandehurit. U kërkova të më njohin me provat e dosjes, dhe nuk ka asnjë provë. Nuk kam asnjë dokumentacion me firmë të nxjerrë nga PD apo zyra ime që të ketë të bëjë me dhënie a marrje pagesash. Nuk kam pasur as kuriozitet për tu marrë me këtë pune, dhe nuk kam as dijeni, mund t'ju konfirmoj se çështja është e nxitur politikisht për të bërë pis PD dhe  mua si ish titullar i kësaj partie. Në këto kushte, e gjithë çështja ka tjetër qëllim. Nuk më njohën me asnjë dokument, janë duke fluturuar në ajër. Erdha një ditë pas thirrjes sepse kështu e vlerësova", u shpreh ai.