Emri i deputetit të Durrësit është lakuar shpesh nga politika ditët e fundit, pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për paligjshmërinë e regjistrimit të Bindjes Demokratike. Sipas PD-së, Bindja Demokratike ka vetëm një deputet në Kuvend dhe ai është Andi Përmeti, i cili nuk i ka kaluar 6 muaj në këtë post. Por nga ana tjetër, BD thekson se deputeti Lefter Koka ka qenë i gatshëm të firmosë për këtë forcë të re politike, në mënyrë që ajo të përfshihet në procesin zgjedhor të 30 qershorit.

Pas akuzave të ngritura nga PD, ka ardhur reagimi i deputetit Koka, përmes një statusi në Facebook, ku shpjegon arsyet se pse firmosi për BD-në.

“Kuadri ligjor dhe vullneti i popullit për një rrugë të shpejtë të vendit drejt integrimit evropian ja jep Bindjes Demokratike këtë legjitimitet, ndaj me vullnet e bindje të plotë unë mora vendimin të mbështes me firmën time z. Patozi në rrugën e tij dhe mbështetësve të tij, duke vazhduar të besoj dhe aderoj në bindjet e mia të majta. Unë besoj se një klasë e re politike opozitare është domosdoshmëri për Shqipërinë demokratike e pluraliste”,– shkruan Koka në Facebook.

Ndër të tjera Koka thekson se do të bëjë më të mirë për qytetin e Durrësit dhe Shqipërinë.

“Duket e vështirë për ne politikbërësit, padashur të mendoj sa e vështirë duhet të jetë për qytetarin shqiptar, për të dalluar sot të mirën nga e keqja. Ndaj dua të garantoj çdokënd e mbi të gjitha votuesit që më besuan votën e tyre, se do të bëj të pamundurën të mundur për qytetin tim Durrësin, për vendin tonë Shqipërinë. Shqipëria do të bëhet, Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët! Rruga Euro-Atlantike është rrugë pa kthim”,– përfundon Koka.

Statusi i plotë i deputetit Lefter Koka:

Në Shqipërinë e çudirave ndodh gjithçka.
Ndryshimet kushtetuese të Berishës në 2008-ën, me qëllimin e vetëm, eleminimin e çdo kundërshtari, sot kthehen në një pengesë serioze për kandidimin në zgjedhjet lokale, të ish bashkëpunëtorit të Berishës dhe kontribuesit të PD-së z. Astrit Patozi. Kujtoj këtu liderin e opozitës, që në një fushatë të pamëshirshme Maj – Qershor 2017 përqëndroi gjithë forcat e tij kundër LSI dhe jo vetëm kaq, por e etiketoi këtë forcë politike si të keqen e shqiptarëve. Shohim qartë sot njerëz që për pushtet e për të shpëtuar veten janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin.
Kuadri ligjor dhe vullneti i popullit për një rrugë të shpejtë të vendit drejt integrimit evropian ja jep Bindjes Demokratike këtë legjitimitet, ndaj me vullnet e bindje të plotë unë mora vendimin të mbështes me firmën time z. Patozi në rrugën e tij dhe mbështetësve të tij, duke vazhduar të besoj dhe aderoj në bindjet e mia të majta. Unë besoj se një klasë e re politike opozitare është domosdoshmëri për Shqipërinë demokratike e pluraliste.
Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si i majtë, nuk do i toleroja asnjëherë vetes të mos angazhohesha në një situatë të turbullt politike si kjo që vendi po kalon sot. Pa retorikë, pa mashtrime politike, por me kontribut real . Fatmirësisht sot jam i lirë të mbështes çdo parti, Kryetar partie apo individ që unë gjykoj se japin një garanci më shumë për të ardhmen e sigurt të vendit. Më duhet të ndaj mbështetjen për individin pasi sot fatkeqësisht shohim se individët shpesh kanë rol më të rëndësishëm se zëri i partisë
Duket e vështirë për ne politikbërësit, padashur të mendoj sa e vështirë duhet të jetë për qytetarin shqiptar, për të dalluar sot të mirën nga e keqja. Ndaj dua të garantoj çdokënd e mbi të gjitha votuesit që më besuan votën e tyre, se do të bëj të pamundurën të mundur për qytetin tim Durrësin, për vendin tonë Shqipërinë. 
Sot përballë meskines dhe shpirtngushtësisë na duhet qetësi në gjykim, për të kuptuar nëse duhet të largohet një apo të gjithë dhe çfarë mund të sjellë një klasë e re politike në opozitë.

Shqipëria do të bëhet, Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët! Rruga Euro-Atlantike është rrugë pa kthim.