Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, ka reaguar pas akuzave të forta të Partisë Demokratike.

Pjetri ka mohuar në mënyrë të prerë akuzat, duke thënë se nuk ka qenë i dëbuar nga Italia apo i arrestuar siç pretendon PD.

"Është e vërtetë se gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve nga PD. Kam bërë një reagim timin të nesërmen e këtij lajmi ku kam thënë se jam mëse i hapur për çdo verifim të mundshëm. Gjëja është zyrtare, shkresa e subjektit partiak është në prokurorinë e përgjithshme dhe prokuroria është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji për të bërë verifikimet. Kjo më shumë ngjan me gjyq publik. Megjithatë dua të them se asgjë dhe askush nuk na ndal të shkojmë drejt bashkisë së Shkodrës dhe të fillojmë punën."

I pyetur nëse është e vërtetë se nuk ka udhëtuar për 10 vjet drejt Italisë, ai tha: "Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë. Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie".