Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili komenton sjelljen e kryeministrit Edi Rama dhe nuk i kursen akuzat dhe ironitë. Në një postim në “Facebook”, Vasili shkruan se ai është gjithçka, por kryeministër nuk është.

Duke iu referuar bisedave të përditshme të kryeministrit me qytetarët në kanalin e urgjencës, nënkryetari i LSI-së shprehet ironikisht se “Edi po tregohet rob zoti me shqiptarët dhe nuk po i gënjen fare. Po jua thotë copë që s’ka qeveri”.

POSTIMI I VASILIT

Edi me telefon përballë Edit pa qeveri!
Edi me telefon në dorë bën sikur zgjidh ndonjë hall, merr ndonjë urim hallexhinjsh, të cilëve jua tall keqas iluzionet për zgjidhje dhe më së fundi nënqesh me kënaqësi e thotë: jua hodha, jua prisha mendjen, jam i zoti për propagandë, jam ujk i mashtrimit, jam mjeshtër për të hedhur hi syve, jam jam jam……!

Është, është, është gjithçka është.
Por kryeministër nuk është.

Me telefon Edi jua thotë vetë të gjithëve, që s’ka qeveri, s’ka zyra që funksionojnë, s’ka strukturë shteti serioz.
Ka, ka, ka vetëm një zero shtet, që i ngjan plehut sipër të cilit kakaris me telefon në dorë Edi vetë.

Edi po tregohet rob zoti me shqiptarët dhe nuk po i gënjen fare.
Po jua thotë copë që s’ka qeveri dhe maksimumi, që mund të kapin është nja 30 sekonda muhabet me Edin.

Ndizni qiri që të mos jetë Edi me ndonjë sëkëlldi, ndonjë kollë, marrje fryme apo diarre e të vjella se edhe këtë gallatën me telefon e humbet dhe s’e kapni dot më as këtë.

Ndaj askush të mos qahet për mungesë sinqeriteti nga Edi. Ai e bëri të veten. Jua tha copë: që sa të jem unë harrojeni shtetin, bëjini dua estradës me telefon, mbani njeri-tjetrin dhe bëjini derman kokës.