TIRANE, 24 mars 2013- Numri dy i LSI-së Petrit Vasili në një konferencë për mediat bëri me dije se LSI e ka hartuar tashmë programin që do ju paraqesë shqiptarëve para zgjedhjeve, ndërsa shtoi se ai do marrë miratimin e të zgjedhurve të kësaj force në konventën e prillit, që më pas të shkojë në duart e qytetarëve. 

“Kemi ruajtur frymën e të qenit realist. Ne mund të themi që në konventën e prillit do kemi prioritet programin, i cili do marrë miratimin e të gjithë të zgjedhurve tanë që pas të shkojë tek shqiptarët”, tha ai. 

Sipas Vasilit, programi është hartuar me një realizëm të thellë, në bazë të konsultave me ekspertë. “Kemi dëgjuar shqetësimet e të gjitha grupeve të interesit”, tha ai më tej. 

Në themel të tij, sic shtoi nënkryetari i LSI-së qendron punësimi i të rinjve dhe të rejave. 

Vizitën e nesërme të komisionarit Fyle, Vasili e cilësoi të mirëpritur për këtë forcë politike. “Takimi i zotit Fyle është i mirëpritur. Është një personalitet shumë i rëndësishëm i Brukselit i lidhur me integrimin, përcjell vetëm pozitivitet. Unë pak ditë më parë e kam ringritur çështjen e integrimit si një çështje madhore që s’mund të zbehet nga asgjë tjetër”, tha ai. 

Vasili konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e deputetit të LSI-së Nasip Naco, për sa i përket koalicionit me PS. 
“Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të pranojë një koalicion me Partinë Socialiste me kushtet që kryesocialisti Edi Rama u ka vendosur aleatëve”. Kjo deklaratë e Nacos, për Vasilin është korrekte. 

“Deklarimi i zotit Naco është korrekt dhe parimor. Kjo është edhe mënyra se si LSI e ka ndërtuar jetën e saj politike. Ne pas një kauze të madhe si integrimi ndërtuam forcën tonë”, tha ai 

Për koalicionet sipas tij, LSI do vazhdojë të ketë kritere parimore.
“Cështja e numrave, mënyra mbledhje votash. Ato forca që i ndërtojnë s’kanë lidhje me LSI”, vijoi Vasili.