Një grup të rinjsh të FRPD-së dhe studentë të Mjekësisë zhvilluan një protestë homazh para kryeministrisë.

Të rinjtë ndezën qirinj për 53-vjeçarin Lutfi Çekirri, i cili humbi jetën pas vonesës në spital pa marrë kurën e duhur.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi tha se ajo që i ndodhi 53-vjeçarit mund t’i ndodhë secilit prej nesh, pasi vëmendja e qeverisë nuk është tek njerëzit.

“Nëse nuk do ishte publikuar video-lajmi për ndarjen nga jeta të qytetarit pas sorollatjeve në spitale, stani i qeverisë do ishte i qetë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Jemi këtu sepse respektojmë jetën, sepse mendojmë që ajo që i ndodhi Lutfiut mund të na ndodhë secili prej nesh. Pse ndodhi? Është çështje prioritetesh kjo punë. Kjo qeveri nuk e ka fare vëmendjen te ne.

Shpresojmë që ajo që i ndodhi Lutfiut nuk i ndodh Ramës, Ogertës se këta i hipin charterave e shkojnë në spitalet më të shtrenjta, kurse shëndetësinë e tyre falas na e lënë neve, qytetarëve të thjeshtë. Ne jemi 40 të rinj që ndezim qiri për një jetë të humbur që mund të ishte shpëtuar dhe rrethohemi me polici sikur kushedi çfarë po ndodh”,- u shpreh Këlliçi.