“Në këtë 20 shkurt të 2019, 28 vite pas rrëzimit të simbolit të diktaturës më të errët shqiptarët të bashkuar si asnjëherë do të kenë në krahun e tyre Partinë Demokratike, njerëzit tanë do të jenë në krahë të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë për të vendisur që kurrë më në Shqipëri mos vendoset një regjim tjetër diktatorial”,- deklaroi Basha menjëherë pas vendimit unanim të Këshillit Kombëtar të PD për djegien e mandateve të deputetëve.

“Pasi kemi shteruar çdo mundësi për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve, pas urdhrit të sovranit, i cili ushtroi në protestën e sovranit, të të shtunës ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Zgjedhim me përgjegjësi të plotë t’i bindemi sovranit. Përmes këtij vendimi të vështirë dhe të paprecedent ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat evropiane. NE do ta hapim derën që na con drejt Evropës. Ajo derë do të hapet vetëm kur vendi të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne do ta hapim atë derë kur ndarja e pushteteve të garantojë një qeveri të përgjegjshme”, tha më tej Basha.

Kreu i PD-së ka konfirmuar se opozita do të protestojë ditën e nesërme në orën 10:00 para parlamentit.

“Kurrë më parlamenti të mos kthehet në një fole krimi. Ne e hedhim këtë hap, pasi nuk na mbetet asnjë rrugë tjetër. Ne këtë betejë të madhe ne do ta fitojmë bashkë. Prandaj ju ftoj, askush të mos mungojë’,- tha ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha.