"Nëse arrestohet qytetari, për barazi para ligjit nuk ka përse jo zyrtari. Le të jemi të barabartë në padrejtësi të paktën".

Kështu shkruan ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani duke marrë shkas nga vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila dënoi me 3 vite e 4 muaj shërbim prove ish-ministrin Saimir Tahiri.

POSTIMI I PLOTË

Kam idenë, ndonëse të pa matëshme se shumica dërrmuese e kritikës ndaj vendimit të (mos)dënimit të Sajmirit vjen për shkak të ndjesisë së PABARAZISË para ligjit.

Kjo është një gjë e mirë, në të vërtetë. Kur shoqëria reagon ndaj pabarazisë shenjat janë të mira.

Trajtimi i pabarartë i shtetasve nga drejtësia e bën këtë të fundit të padrejtë, të pabesueshme.

Dmth protestuesit apo denoncuesit ndaj pushtetit burgosen vetëm pak minuta pas protestës apo denoncimit. Ndërsa pushtetari që dyshohet për krime të rënda mbetet i lirë.

Le pastaj ata që janë harruar në burgje, apo janë dënuar pa u ballafaquar edhe me një provë të vetme direkte. Ata janë tmerri dhe njëkohësisht turpi i drejtësisë sonë.

Ky realitet sigurisht kërcet! Njerëzit ndahen praktikisht në të mbrojtur dhe të pa mbrojtur.

Kam qenë dhe mbetem përkrahës i drejtësisë që nuk burgos njerëz me dyshime, qytetarë apo pushtetarë qofshin! Drejtësia që nxiton të arrestojë njerëz, pa harxhuar fare kohë të provojë fajsinë, është e njëjtë me vetgjyqsinë.

Pa dyshim e pa drejtë!

Por nëse arrestohet qytetari, për barazi para ligjit nuk ka përse jo zyrtari.

Le të jemi të barabartë në padrejtësi të paktën.

Këtë thonë shumica e kritikëve.

Dhe kanë të drejtë.