Lulzim Basha deklaroi se Partia Demokratike i ka dërguar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkesën për shqyrtimin e propozimit të vettingut në politikë.

Basha tha se sipas rregullores së Kuvendit, të premten në orën 13:00 duhet të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar këtë kërkesë të opozitës. Ndër të tjera, kryedemokrati shpjegoi edhe 5 pikat ku do të mbështetet ligji i vettingut, duke sqaruar se nuk pengon punën e vettingut në gjyqësor.

“Sot Gramoz Ruçit i është drejtuar kërkesa të skedulojë ditën e premte ora 13:00, të mbledhë Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve për të nisur shqyrtimin e vettingut të politikanëve. Për 10 ditë Edi Rama ka këputur gënjeshtra dhe broçkulla. I njëjti formulim ligjor si për gjyqtarët dhe prokurorët. Trajtim special për politikanët nuk do të ketë më.

1- Proces i pavarur me vettingun në drejtësi.

2-Model i thjeshtë si dekriminalizimi.

3-Do të kryhet nga një strukturë profesionistësh të pavaurr nga politika.

4-Nuk do të jetë kurrë strukturë parlamentare dhe nuk do të ketë anëtarë partiakë.

5-Do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare.

Çfarë është vettingu, e kemi në Kushtetutë te ligji për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti definicion. Procedurën si do arrihet të vërtetohet kjo, i keni po kështu në Kushtetutë. Modelin e keni të ngjashëm me modelin e ligjit të Dekriminalizimit. Vettingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje me vettingun e drejtësisë. Çdo gjë që dëgjohet është mashtrim dhe propagandë nga Edi Rama dhe zëdhënësit e tij. SPAK dhe Byroja e Hetimit kanë tjetër mandat, kanë mandat hetimin e politikanëve të korruptuar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Vettingu i nxjerr nga institucionet, SPAK dhe Byroja i çon në burg. Të premten, sipas rregullores të Kuvendit, Gramoz Ruçi duhet të mbledhë Këshillin e Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve", deklaroi kreu i PD.