Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar sërish për dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë.

Basha akuzon Ramën se ka futur në politikë dhe në zyrat e shtetit, duke i bërë deputete, kryebashkiake e zyrtare të lartë me dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës.

POSTIMI I PLOTË

Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.

Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës.

Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare!

Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit.

Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën.

#ShqipëriaSiEuropa #RamaIk