27/11/2020 - 12:20
Partia Demokratike ka vijuar me akuzat në adresë të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka. Përmes një deklarate për mediat nga selia blu, ish-deputetja Albana Vokshi ka publikuar një video ku shfaqet ministrja teksa rikthehet në Tiranë, sipas saj, pas një takimi elektoral në qarkun e Dibrës.
Sipas selisë blu, ky udhëtim i Xhaçkës ka kushtuar të paktën 10 mijë euro.
"Partia Demokratike publikoi pak ditë me parë pamje të mbërritjes së Olta Xhaçkës në Dibër me helikopterin ushtarak për një takim të Partisë Socialiste atje, ku është e deleguar.
Si reagoi Ministrja e Mbrojtjes? Fillimisht heshti, por kur presioni ynë dhe i publikut u rrit, ajo doli dhe mashtroi duke thënë se nuk e kishte përdorur helikopterin.
E vërteta është se Olta Xhaçka ka udhëtuar me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes ditën e premte. Helikopteri e ka çuar në Dibër, më pas është kthyer në Tiranë. Brenda të njëjtës ditë, ka shkuar ta marrë sërish drejtuesen politike të qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste, pasi ka bërë takime me strukturat e partisë, për qëllime politike, elektorale, takime që nuk përputhen me përmbushjen e detyrave funksionale të saj.
Ndiqni videon, që publikohet sot për herë të parë.
Është vetëm një nga provat që PD disponon dhe që fakton se Olta Xhaçka gënjeu shqiptarët.
Ajo ka udhëtuar me helikopter brenda ditës për takime partie, duke harxhuar të paktën 10 mijë euro, ndërkohë që ambulancat para infektivit ndizen me të shtyra".
/portali DurresLajm/