Kryeministri Edi Rama në urimin e përditshëm në Facebook, ka ndarë sot me ndjekësit një video nga projekti i një shkolle 9-vjeçare në Durrës, e cila po ndërtohet nga e para pasi u dëmtua rëndë nga tërmeti.

“MIRËMËNGJES dhe me një përqafim nga larg, për nxënësit, prindërit, mësuesit e shkollës “Neim Babameto” në Durrës, disa prej të cilëve atë ditë pas tragjedisë i gjeta të përlotur në oborrin ku shkolla qe kthyer në një shëmbëlltyrë të rrënimit të gjithandejshëm, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.

Ndërsa një ditë më parë, Rama shkruante në rrjetin social se “shkolla “Neim Babameto” në Durrës u shkatërrua natën e 26 nëntorit, por sot po rilind më e madhe, më e bukur e me plot risi për nxënësit e për trupën pedagogjike, falë projektit fantastik të arkitektit të famshëm italian, Mario Cuccinella”

Kreu i qeverisë njoftoi po një ditë më parë se është gati kantieri i ndërtimit nga themelet i Godinës Qendrore të Arkivave të Shërbimeve të transportit Rrugor në Durrës.

“GATI EDHE KANTIERI i ndërtimit nga themelet të Godinës Qendrore të Arkivave të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në Durrës! Në ndërkohë po digjitalizohen regjistrat e bërë kapicë pa asnjë lloj mirëmbajtjeje në 30 vjet, të cilët do të jenë online me indekse e kode në një format unik kombëtar, dhe çdo e dhënë për çdo mjet e për çdo drejtues mjeti, do të jetë e paprekshme dhe e pafalsifikueshme

DPSHTRR po punon të ofrojë shërbime me kushte optimale që përfundimisht ky institucion të europianizohet nga A-ja tek Zh-ja, duke unifikuar praktikat europiane dhe duke i kthyer lejedrejtimin dhe regjistrimin e mjeteve rrugore në Shqipëri në shërbime të besueshme e të pranuara ndërkombëtarisht kudo”.