Kryeministri Edi Rama u nis mëngjesin e sotëm nga aeroporti ushtarak Chuguev në Ukrainë, drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin. Në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Ukrainë, ku zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit.

Pjesë e delegacionit, ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Igli Hasani u shpreh se “mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”.

“Këtu jemi në një helikopter ushtarak ukrainas, që do të na çojë drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin. Udhëtimi do të zgjasë rreth 1 orë. Ky është aeroport ushtarak. Mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”, informoi Hasani.