"Çështja e të drejtës së pronës është e drejtë thelemore e të drejtave të njeriut dhe si e tillë për Bashkimin Europian nuk negociohet. Kjo është arsyeja që në vlerësimet tona për Shqipërinë kjo është reflektuar shumë mirë."

Kjo është deklarata e ambasadores së delegacionit të Bashkimit Europian në tryezën për të drejtën e pronës. Që në fillim të fjalës së saj Romana Vlahutin nënvizoi:

"Ju do të vini re se unë nuk përdor, dhe nuk do të përdor, termin ish-pronarë, sepse nuk ekziston diçka e tillë. Ju jeni ish-pronarë pasi ju të shisni apo të merrni kompensim për pronën tuaj. Deri në momentin kur asnjëra prej tyre nuk ndodh ju jeni pronarë."

Diplomatja e Bashkimit Europian shprehu shqetësim lidhur me situatën aktuale: "Ka njerëz që kanë legalizuar plazhe ranore, detin si tokë bujqësore dhe kjo është absurde. Korrupsioni dhe vonesat në gjykata kanë shkaktuar konflikte në shoqëri. Ju kujtoj se në raportin e fundit të KE-së për Shqipërinë, për  kapitullin e 23, që ka të bëjë me kapitullin e drejtësisë, dhe të drejtave themelore , Shqipëria duhet ti kushtojë rëndësi me prioritet kthimin, kompensimin dhe regjistrimin e pronës."