Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar këtë të premte një takim online me homologun polak, Zbigniew Rau.

Ministrja Xhaçka ka vlerësuar mbështetjen që Polonia ka treguar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, teksa thekson se vendi ynë mbetet në pritje të përcaktimit të datës për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda gjashtë mujorit të parë të 2021.

Gjithashtu, dy ministrat u dakordësuan në rritjen e angazhimit për të çuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Polonisë dhe vlerësuan se integrimi në Bashkimin Europian i Ballkanit Perëndimor është cështje me rëndësi strategjike.

Kryediplomatja shqiptare vlerësoi solidaritetin e popullit polak në procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe mbështetjen e treguar gjatë pandemisë COVID – 19.