Pak para mbylljes së procesit të numërimit të votave për kandidatët në Durrës, kreu i degës lokale të PD, Ferdinand Xhaferaj, në një deklaratë për mediat e quajti votim dhe jo zgjedhje procesin e 25 prillit.

“Unë mendoj që dhe vëzhguesit e huaj dhe qytetarët e panë që nuk kishim zgjedhje por kishim votime”.

Pyetjes nëse do ta uronte kundërshtarin, Xhaferaj iu përgjigj:

“Në demokraci, nëse zgjedhjet do të ishin të lira e të ndershme në mënyrë të padiskutueshme do ta uroja kundërshtarin, por qytetarët e Durrësit panë që në këto zgjedhje ne u përballëm me krimin, shtetin dhe pushtetin. Koordinatori, kumbara e gjithë këtyre është kryetari de facto i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Dhe Vangjush Dako është një person që nuk lejohet të shkojë në SHBA, ai dhe trungu i tij familjar për korrupsion të lartë zgjedhor. Unë jam një politikan që jam shkolluar në SHBA, kam bërë një shkollim të shkëlqyer aty dhe të urosh Vangjush Dakon do të thotë t’i kundërvihesh Amerikës. Nuk kam ndërmend në karrierën time politike t’i kundërvihem Amerikës”,- tha Xhaferaj.