“PS-ja në Durrës nuk është më PS-ja e viteve të mëparshme, por është zëvendësuar nga elementë të botës së krimit. Tashmë është provuar lokalisht dhe ndërkombëtarisht që elementë të botës së krimit në Durrës janë përfshirë në proceset e blerjes së votave.”

Deklarata e fortë vjen nga kreu i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj, i cili i sheh tensionet e fundit mes bashkisë dhe degës lokale si dhe brenda vetë PS-së së qytetit bregdetar si përplasje mes grupeve që janë vënë në garë për të ndarë zonat e interesit.

Një tjetër fenomen negativ, të cilin PD-ja lokale e denoncoi gjatë një konference për shtyp në muajin tetor janë emërimet e të importuarve nga Tirana, të cilat janë pritur keq jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por edhe nga socialistët. Sipas Xhaferrajt, Rilindja e ka katandisur Durrësin në një fshat të madh, drejtuesit e të cilit si asnjëherë më parë po vijnë nga kryeqyteti. Në të njëjtën kohë, kreu i degës së PD-së thotë se gjatë viteve të qeverisjes Rilindase, Durrësi është kthyer në "gjendje kënetore", ndërkohë që dhe kryetarja e re e bashkisë nuk duket se premton ndryshime për mirë në qytet, pasi e ka mendjen tek fondet për kozmetikën e bashkisë dhe jo investimet për përmirësimin e cilësisë së jetës së durrsakëve.

“Durrësi, në të gjitha vitet e Rilindjes, ka qenë i përmbytur nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe injoranca. Kryetarja e re e bashkisë, e njohur në qytet si gjobëvënësja e tatimeve, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ndërsa flitej për hallexhinjtë e tërmetit, kërkonte paturpësisht dhe pa preventiv fonde për kozmetikën e bashkisë.” – deklaron Xhaferraj në një intervistë për DurrësLajm.

Kreu i PD-së lokale nënvizon si problematikë kryesore në qytetin bregdetar fuqizimin ekonomik të grupeve kriminale gjatë viteve të fundit, të cilat po çojnë drejt rrënimit biznesin e ndershëm, që garanton mijëra vende pune në qytetin bregdetar, ndërsa premton se “PD ka nxjerrë mësime nga e shkuara dhe ka projektuar si duhet të ardhmen”.

PD Durrës përfshirë këtu dhe LDG dhe FRPD janë perfshirë në nje proces ristrukturimi. Çfarë synon ky riorganizim i degës dhe ku është përqendruar puna e të gjitha strukturave?

Unë do të thoja që procesi i riorganizimit të degës ka përfunduar dhe tani po zhvillohen proceset e ristrukturimit të organizatave partnere me degën e PD-së, që janë Lidhja Demokratike e Gruas dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Si degë kemi përfunduar edhe plotësimin e departamenteve, që merren me hartimin e politikave lokale. Desha të theksoj këtu se numri i madh i kandidaturave të paraqitura për çdo departament ishte një mesazh i qartë se qytetarët durrsakë zgjidhjet e problematikave i shohin dhe i presin nga Partia Demokratike. 

Lideri Basha ka bërë disa herë apel për afrimin pranë PD-së të të larguarve, të të pakënaqurve. Si po ecën ky proces në Durrës?

Kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë maksimumin që askush të mos ndihet i pakënaqur dhe askush të mos ndihet i larguar. Aktualisht ajo që na bën të gjithëve bashkë është mendimi i përbashkët se problemet e vogla që mund të kenë krijuar apo krijojnë ndasi në një organizatë kaq të madhe sa është Partia Demokratike janë vërtet shumë të vogla përballë shqetësimit të përbashkët për përgjegjësinë që kemi për të ardhmen. Ne po punojmë intensivisht për të përcjellë mesazhin se PD-ja nuk po vjen në qeverisje vetëm se këta po qeverisin shumë keq, por edhe për faktin se Partia Demokratike ka nxjerrë mësime nga e shkuara dhe ka projektuar si duhet të ardhmen. Ne si Parti Demokratike, me burimet njerëzore që kemi ofruar dhe me alternativat që po përgatisim për qytetin do ta nxjerrim Durrësin nga gjendja kënetore që e ka çuar Rilindja.

Durrësi të hënën dhe të mërkurën u përmbyt sërish, pavarësisht milionave të shpenzuara për të parandaluar këtë fenomen vitet e fundit. Sipas jush, pse qyteti vijon të permbytet megjithëse një pjesë e mirë e taksave të durrsakëve janë shpenzuar për të evituar përmbytjet?

Kur përmenda gjendjen kënetore nuk kisha parasysh përmbytjen e ndodhur dy ditë më parë, por doja të sillja në vëmendje faktin se Durrësi, në të gjitha vitet e Rilindjes, ka qenë i përmbytur nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe injoranca. Kryetarja e re e bashkisë, e njohur në qytet si gjobëvënësja e tatimeve, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ndërsa flitej për hallexhinjtë e tërmetit kërkonte paturpësisht dhe pa preventiv fonde për kozmetikën e bashkisë. Për më tepër, jemi në vitin 2019 dhe kjo ish-zyrtare e lartë e administratës as nuk e kuptonte dhe as nuk e dinte që Këshilli Bashkiak nuk është filial i Partisë Socialiste. 

Në konferencën e fundit për shtyp ju e përqendruat fjalën tuaj në atentatin ndaj kreut të KB-së Durrës dhe emërimet nga Tirana. Ndërkohë mbledhja e parafundit e Këshillit Bashkiak u shoqërua nga tensione, ndërsa tensione ka pasur edhe mes kandidatëve të PS për kreun e degës. Në gjykimin tuaj, çfarë po ndodh mes degës lokale të PS dhe bashkisë?

Gjithçka se çfarë po ndodh e përfshitë ju në pyetjen tuaj. Atentate dhe goditje me armë brenda grupeve të PS-së për të ndarë se kush do marrë çfarë. PS-ja në Durrës nuk është më PS-ja e viteve të mëparshme, por është zëvendësuar nga elementë të botës së krimit. Tashmë është provuar lokalisht dhe ndërkombëtarisht që elementë të botës së krimit në Durrës janë përfshirë në proceset e blerjes së votave.

Cilat janë problemet më të mëdha të qytetit dhe pse PD-ja nuk është shumë aktive në denoncimin e tyre? Si e vlerësoni deri tani punën e kryebashkiakes së re?

Problemi më i madh që ka qyteti është se gjatë viteve të Rilindjes, grupet kriminale u fuqizuan ekonomikisht duke qenë elementët dominues të kontrollit të parave publike dhe investimeve. Kjo ka tkurrur apo ka çuar drejt rrënimit biznesin e ndershëm.
Po kështu, një problem shumë serioz është trajtimi që kupola e Rilindjes në qendër i bën këtij qyteti. Durrësi trajtohet si një fshat i madh dhe të gjithë drejtuesit kryesorë, si asnjëherë më parë, kanë ardhur nga Tirana.
Lidhur me punën e kryebashkiakes së re sinqerisht do ju pyesja: A dini ju të ketë kryer ndonjë punë që edhe të japim vlerësimin?! 

M.B.