Kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ishte sot në tregun industrial të qytetit, ku takoi nga afër tregtarët.

Xhaferraj bën të ditur se gjatë takimit me ta, është njohur me problemet që pothuajse janë të njëjta.

“Pavarësisht se bizneset janë të ndryshme, gjatë aktivitetit të përditshëm me takime me qytetarë e biznese, problemet janë të njejta: Neglizhenca e Bashkisë dhe politikat aspak sociale të Qeverisë i kanë bërë durrsakët të duan të largohen një orë e më parë nga qyteti i tyre. Pagat e luftës, të pamjaftueshme për të përmbushur qoftë edhe detyrimet e përmuajshme si qiratë për hapësirën në treg dhe sigurimet shoqërore, u duken si një leukoplast mbi një plagë plumbi: aspak zgjidhje apo lehtësim i mirëfilltë”, shkruan Xhaferraj në një postim në rrjetet sociale.

STATUSI I PLOTË

Vizitë në tregun industrial të qytetit në lagjen 17.

Në treg janë rreth 500 tregtarë të cilët prej vitesh, me djersë e sakrifica, kanë ngritur bizneset e tyre tek të cilat bazohet ekonomia e tyre familjare, e tashmja dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre.

Pavarsisht se bizneset janë të ndryshme, gjatë aktivitetit të përditshëm me takime me qytetarë e biznese, problemet janë të njejta: neglizhenca e Bashkisë dhe politikat aspak sociale të Qeverisë i kanë bërë durrsakët të duan të largohen një orë e më parë nga qyteti i tyre. Pagat e luftës, të pamjaftueshme për të përmbushur qoftë edhe detyrimet e përmuajshme si qiratë për hapësirën në treg dhe sigurimet shoqërore, u duken si një leukoplast mbi një plagë plumbi: aspak zgjidhje apo lehtësim i mirëfilltë.

Ndërkohë që e gjithë ekonomia e vendit është në recesion dhe konsumi ka rënë ndjeshëm, tregtarët kërkojnë që Qeveria mos t’u bëhet një kosto më shumë. Fatkeqësisht realiteti është se kontakti i vetëm i tyre me Bashkinë e Qeverinë është përmes gjobave. Vetëm para pak ditësh, shumë prej bizneseve u përmbytën sic ndodh sa herë bien 20 minuta shi në qytet dhe për kostot shtësë si pasojë e infrastrukturës korruptive nuk mban përgjegjësi askush. Ndonëse të rrënuar nga efektet e tërmetit dhe të pandemisë, asnjë qira nuk u është ulur tregtarëve të ndershëm të tregut industrial të cilët njëzëri më thonin: “Mezi presim 25 Prillin të shporrim këtë qeveri mbytëse”.