13/01/2021 - 20:53
Kryetari i PD Durrës Ferdinand Xhaferraj e ka përqendruar fokusin e takimeve të tij tek të rinjtë.
Gjatë ditës së sotme, Xhaferraj është takuar fillimisht me studentë të UAMD-së dhe më pas me të rinj të njësisë administrative Sukth.
“Ata janë të motivuar për të punuar fort për rikthimin e shpresës në Shqipëri. PD shpresa e rinisë”, shkruan Xhaferraj, ndërsa publikon edhe foto nga takimet ku vihet re një pjesëmarrje e konsiderueshme e të rinjve.
Pas caktimit të drejtuesit politik të qarkut Edi Paloka, drejtuesit kryesorë të degës lokale kanë intensifikuar takimet me bazën, ndërkohë që vënia në funksion e disa prej sallave të grupseksioneve është dëshmi se PD i “ka ndezur” motorët e fushatës, pasi nuk ka më kohë për të humbur, 25 prilli është pranë.
Në ndryshim nga PS që u njoh me drejtuesin politik të qarkut që në muajin shtator 2020, demokratëve të Durrësit iu desh të prisnin ditët e para të vitit 2021 për të mësuar se cili ishte emri që lideri Lulzim Basha kishte përzgjedhur për të udhëhequr fushatën.
/portali DurresLajm/